Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përgëzuar kreun e SPAK, Klodian Braho, dhe Kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta, për marrjen e roleve të tyre të reja drejtuese, duke ritheksuar mbështetjen e fortë amerikane për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.
Në një takim me Brahon, Ketën, por edhe Altin Dumanin, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Nancy VanHorn, vlerësoi angazhimin dhe përgjegjësinë e dy drejtuesve të rinj. “Përgëzojmë Kryeprokurorin e Posaçëm Klodjan Braho dhe Kreun e BKH Joni Keta për rolet e tyre të reja drejtuese”, thuhet në reagimin e Ambasadës, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin pa rezervë përpjekjet e SPAK “në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të narkotikëve dhe korrupsionit”.
Ambasada amerikane nënvizoi se kjo mbështetje është pjesë e një angazhimi më të gjerë strategjik për forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar. “Ne qëndrojmë të bashkuar në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, thuhet më tej në deklaratë.
Në njoftim citohet edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili ka deklaruar se lufta kundër krimit të organizuar dhe karteleve të drogës është një prioritet kyç i politikës amerikane. “Ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara”, citon Ambasada, Rubion.
