
Rritja e prurjeve në kaskadën e Drinit detyron nisjen e shkarkimeve të kontrolluara nga hidrocentralet
Si pasojë e rritjes së ndjeshme të prurjeve në kaskadën e Drinit, që prej ditës së djeshme kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.
Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, po shkarkohet një sasi prej rreth 700 metra kub ujë në sekondë drejt lumi Drin, përveç sasisë që shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike. Shkarkimet po realizohen në mënyrë të kontrolluar dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga specialistët e hidrocentraleve.
Bashkia Shkodër ka bërë me dije se ndodhet në koordinim të plotë me KESH për menaxhimin e situatës dhe për të minimizuar çdo rrezik të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë.
Deri në këto momente nuk raportohet për problematika apo rrezikim të banesave dhe tokave bujqësore, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në terren, në kushtet kur reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim.
