25-vjeçarja u gjet pa shenja jete pranë një objekti ndërtimi; autoritetet po hetojnë nëse kemi të bëjmë me vrasje apo aksident.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në Tetovë, ku një vajzë 25-vjeçare nga Gjakova është gjetur e vdekur në afërsi të një objekti ndërtimi. Viktima është identifikuar si S. D., e diplomuar dhe aktualisht studente e nivelit master.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se e reja mund të ketë rënë nga kati i lartë i ndërtesës. Në vendngjarje, hetuesit kanë gjetur edhe barna, të cilat tashmë janë sekuestruar për ekzaminim. Ende nuk dihet nëse ato kanë lidhje direkte me vdekjen.
Organet e rendit në Maqedoninë e Veriut po punojnë për të rikonstruktuar ngjarjen dhe për të identifikuar personat që mund të kenë qenë me viktimën para momentit tragjik. Pista e vrasjes nuk përjashtohet, por hetimet po vijojnë edhe për mundësinë e një aksidenti apo vetëvrasjeje.
Ambasada e Kosovës në Shkup konfirmoi rastin dhe deklaroi se është në komunikim të vazhdueshëm me policinë e Tetovës.
“Ne kemi marrë njoftimin nga autoritetet policore dhe jemi duke ndjekur nga afër çdo zhvillim lidhur me rastin,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Trupi i pajetë i 25-vjeçares është zbuluar nga kalimtarë të rastit rreth orës 19:00, pas tregut të gjelbër të qytetit. Autopsia pritet të japë më shumë detaje për shkakun e vdekjes.
