
Aktori i njohur i Jimmy Neutron mbylli sytë pas një serie komplikimesh të rënda shëndetësore, ndërsa familja konfirmoi se ai u hoq nga aparatet e jetës
Aktori dhe komediani amerikan Jeff Garcia, i njohur gjerësisht për zërin e personazhit Sheen Estevez në serinë animuar Jimmy Neutron, ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare në një spital të Kalifornisë Jugore. Sipas raportimeve nga familjarët, Garcia u largua nga jeta pasi u hoq nga aparatet e jetës, pas muajsh të tërë me probleme serioze shëndetësore.
Garcia kishte kaluar një aneurizëm të trurit gjatë pranverës pas një rrëzimi, ndërsa më vonë pësoi një goditje në tru pa marrë trajtimin e nevojshëm në kohë. Në nëntor ishte shtruar për pneumoni dhe ndonëse u përmirësua fillimisht, gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm javët e fundit. Të hënën ai u paraqit me vështirësi në frymëmarrje, ndërsa të martën pësoi kolaps të mushkërive.
Në momentet e fundit, pranë tij ishin familjarë dhe miq të ngushtë. Djali i tij, Jojo Garcia, publikoi një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke e përshkruar të atin si njeriun që e udhëhoqi në çdo hap të jetës dhe si mikun e tij më të mirë.
Humbja e aktorit ka prekur komunitetin e humorit dhe industrinë televizive në SHBA, ku kolegë të shumtë kanë ndarë kujtime dhe mesazhe falënderimi për mbështetjen dhe bujarinë që Garcia u ka treguar gjatë viteve të para të karrierës së tyre.
Jeff Garcia u pa për herë të fundit publikisht më 4 nëntor, në një episod të Comics Unleashed, duke e mbyllur karrierën e tij me të njëjtin ritëm energjik që e karakterizonte.
