
34-vjeçarja nga Anglia ndërroi jetë dy ditë pas ndërhyrjeve të tipit tummy tuck dhe BBL, ndërsa familja ngre dyshime se ajo nuk ishte në gjendje shëndetësore të përshtatshme për operacionin
Një rast i rëndë ka tronditur opinionin publik britanik, pasi një nënë e re e dy fëmijëve humbi jetën vetëm dy ditë pas kryerjes së ndërhyrjeve estetike në Turqi. Sophie Hunt, 34 vjeçe, nga Northampton, ndërroi jetë më 9 mars 2022 në një spital privat në Stamboll, pas komplikacioneve të rënda shëndetësore.
Sipas asaj që u bë e ditur në seancën e inquest-it në Gjykatën e Koronerit në Northampton, Hunt kishte kryer një operacion për shtrëngimin e barkut dhe një ndërhyrje Brazilian butt lift. Pas operacioneve, ajo pësoi dështim të shumëfishtë organesh dhe tre arrestime kardiake, duke mos arritur të mbijetojë.
Në një deklaratë prekëse të lexuar në gjykatë, nëna e saj, Sandra Hunt, e përshkroi të bijën si një vajzë të gjallë, të dashur dhe shumë zemërmirë. Ajo ngriti shqetësime serioze mbi faktin nëse vajza e saj ishte e përshtatshme nga ana shëndetësore për të kryer këto ndërhyrje, duke përmendur dokumente mjekësore që tregonin shenja të ritmit të parregullt të zemrës para operacionit.
Familja theksoi se pas ndërhyrjes Sophie humbi ndjenjat dhe shfaqi ënjtje në duar, ndërsa u shprehën dyshime edhe për komplikacione të mundshme gjatë procedurës së BBL-së. Megjithatë, koronerja sqaroi se për shkak se vdekja ndodhi jashtë Mbretërisë së Bashkuar, hetimi i plotë mbi procedurat e kryera në spitalin turk nuk është në juridiksionin e autoriteteve britanike.
Raporti i Këshillit të Mjekësisë Ligjore të Turqisë konkludoi se Sophie Hunt vdiq si pasojë e komplikacioneve të lidhura drejtpërdrejt me operacionet estetike. Edhe ekzaminimi pas vdekjes i kryer në Britani arriti në të njëjtin përfundim, megjithëse shkaku i saktë i arrestit kardiopulmonar mbeti i paqartë.
Rasti i saj i shtohet listës së shqetësimeve në rritje lidhur me turizmin mjekësor dhe sigurinë e ndërhyrjeve estetike jashtë vendit, duke rikthyer debatin mbi kontrollin mjekësor, transparencën dhe standardet e kujdesit shëndetësor.
