E njohur si “Jackie Kennedy e Azisë”, ish-mbretëresha Sirikit ndërroi jetë në moshën 93-vjeçare, duke lënë pas një epokë të artë për monarkinë tajlandeze dhe një trashëgimi që bashkon lavdinë, elegancën dhe fuqinë.
Monarkia tajlandeze është zhytur në zi kombëtare pas ndarjes nga jeta të Nënës Mbretëreshë Sirikit Kitiyakorn, bashkëshortes së legjendarit mbret Bhumibol Adulyadej (Rama IX) dhe nënës së monarkut aktual, Maha Vajiralongkorn. Ajo ndërroi jetë të premten, më 24 tetor, në spitalin Chulalongkorn të Bangkokut, në moshën 93-vjeçare. Sipas njoftimit të pallatit mbretëror, Mbreti Vajiralongkorn ka urdhëruar që e gjithë familja mbretërore të mbajë një vit zi.
Në rininë e saj, Sirikit u cilësua si “Jackie Kennedy e Azisë”, një ikonë stili e viteve ’60 që i dha monarkisë tajlandeze një imazh modern e të hapur ndaj botës. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Bhumibol Adulyadej, përforcuan lidhjen mes kurorës dhe popullit, duke e shndërruar institucionin mbretëror në shtyllën më të qëndrueshme të shoqërisë tajlandeze.
E lindur më 12 gusht 1932 në Bangkok, vajza e një diplomati që kishte shërbyer si ambasador në Paris, Sirikit u rrit pjesërisht në Evropë, ku njohu edhe princin Bhumibol, atëherë student në Zvicër. Martesa e tyre në vitin 1950 i dha Tajlandës një çift të dashur e karizmatik, i cili përfaqësoi elegancën dhe stabilitetin gjatë shtatë dekadave të mbretërimit të Bhumibolit.
Në vitet ’60, Sirikit u bë simbol i modernitetit aziatik: e veshur sipas modës perëndimore, frekuentuese e koncerteve të jazz që mbreti adhuroi, ajo u shfaq në kopertinat e revistave ndërkombëtare dhe u takua me figura të tilla si Elvis Presley gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara. Përveç rolit ceremonial, ajo mbështeti fuqishëm artizanatin dhe industrinë e mëndafshit tajlandez, duke i dhënë një dimension ekonomik dhe kulturor figurës së saj.
Pas një goditjeje në tru disa vite më parë, Sirikit kishte hequr dorë nga paraqitjet publike, por imazhi i saj vijonte të nderohej në rrugët dhe institucionet e Tajlandës. Ditëlindja e saj, më 12 gusht, njihet zyrtarisht si Dita e Nënës në vend.
Vdekja e saj shënon fundin e një epoke të artë për monarkinë tajlandeze, e cila sot përballet me sfida të reja politike dhe shoqërore. Pavarësisht debateve dhe reformave që kanë përfshirë institucionin mbretëror, Sirikit mbetet një figurë e respektuar, që mishëronte dinjitetin, hirin dhe fuqinë e butë të një mbretëreshe që shërbeu për vendin e saj për më shumë se shtatë dekada.
Tajlanda ka nisur përgatitjet për ceremonitë e zisë, ndërsa pallati mbretëror pritet të shpallë ditët e homazheve publike në nder të “Nënës Mbretëreshë ”, e cila mbetet një nga figurat më të dashura në historinë moderne të Azisë.
