Floyd Roger Myers Jr., i njohur për rolin e “Will Smith të ri” në serialin kult “The Fresh Prince of Bel-Air”, është ndarë nga jeta pas një ataku kardiak në shtëpinë e tij në Maryland.
Aktori amerikan Floyd Roger Myers Jr. është ndarë nga jeta në moshën 42-vjeçare. Lajmin e hidhur e ka konfirmuar nëna e tij, Renee Trice, e cila tha se djali i saj pësoi një atak në zemër në orët e para të mëngjesit të 29 tetorit. Sipas saj, Floyd kishte kaluar tre episode të mëparshme kardiake gjatë tre viteve të fundit, por këtë herë zemra e tij nuk mundi të përballonte më.
Floyd u bë i njohur në mbarë botën për rolin e tij si “Will Smith i ri” në serialin legjendar “The Fresh Prince of Bel-Air” dhe për pjesëmarrjen në miniserinë televizive “The Jacksons: An American Dream”, ku interpretoi Marlon Jackson.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka tronditur fansat dhe komunitetin artistik. Shumë prej tyre kanë shprehur pikëllimin në rrjetet sociale, duke e kujtuar si një talent të rrallë dhe një njeri plot jetë. “42 është shumë herët për t’u larguar. Ishte një shpirt i ndritshëm që kishte ende shumë për të dhënë”, shkroi një fans në rrjetin X.
Floyd lë pas katër fëmijë, Taelyn, Kinsley, Tyler dhe Knox, të cilët familja i ka përmendur në një fushatë ndihme në GoFundMe, ku kërkohet mbështetje për shpenzimet e funeralit dhe jetesës së tyre pas kësaj humbjeje të rëndë. “Ai ishte një baba i përkushtuar dhe një mik që prekte zemrat e të gjithëve me mirësinë dhe buzëqeshjen e tij”, shkruan motra e tij, Tyree Trice.
Vetëm pak javë më parë, Floyd kishte ndarë një postim plot dashuri për vajzën e tij në ditëlindjen e 10-të, duke e quajtur “dritën e jetës së tij”. Një mesazh që sot tingëllon si një përshëndetje e fundit nga një zemër që rrahu fort për dashuri, por që u ndal shumë herët.
