
Hetimi zbulon se vajza, e shoqëruar me pranga nga policia, arriti të largohej nga automjeti dhe u godit për vdekje nga një makinë; familja kërkon përgjegjësi institucionale
Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Britaninë e Madhe, pas vdekjes së një vajze 17-vjeçare në autostradën M5, vetëm pak minuta pasi ishte arrestuar dhe po transportohej nga policia drejt komisariatit.
Tamzin Hall humbi jetën rreth orës 23:00, pasi u përplas nga një automjet në segmentin e autostradës mes Taunton dhe Bridgwater, në Somerset. Ajo ishte ndaluar më herët pas një incidenti në qendrën e kujdesit ku jetonte dhe po transportohej me pranga në një makinë policie, e shoqëruar nga dy efektivë.
Sipas dëshmive të paraqitura në seancën paraprake të inquest-it, makina e policisë ishte ndalur në korsinë e emergjencës për arsye sigurie, moment në të cilin vajza arriti të çlirohej nga prangat, të dilte nga automjeti dhe të kalonte barrierën mbrojtëse të autostradës. Pak çaste më vonë, ajo u godit nga një makinë që po lëvizte në kahun e kundërt të rrugës.
Autoritetet konfirmuan se plagët e pësuara ishin fatale dhe se identifikimi i saj u bë përmes gjurmëve të gishtave. Familja e viktimës theksoi se drejtuesi i mjetit nuk mban asnjë faj për ngjarjen, ndërsa përgjegjësia, sipas tyre, duhet kërkuar te mënyra se si u menaxhua shoqërimi i vajzës.
Nëna e Tamzin ka akuzuar institucionet për dështim serioz, duke deklaruar se vajza e saj, e diagnostikuar me autizëm dhe probleme të shëndetit mendor, ishte person me rrezik të lartë dhe nuk duhej transportuar me një makinë të zakonshme policie. Ajo ngriti pikëpyetje se si ishte e mundur që një e mitur, e prangosur dhe nën mbikëqyrjen e dy policëve, të arratisej.
Zyra e Pavarur për Mbikëqyrjen e Policisë ka nisur hetim disiplinor ndaj dy efektivëve të përfshirë, për shkelje të mundshme të detyrës, ndërsa inquest-i i plotë pritet të zhvillohet në janar të vitit 2027.
Ngjarja ka hapur një debat të fortë në Britaninë e Madhe mbi trajtimin e të miturve me probleme të shëndetit mendor, përdorimin e prangave dhe protokollet e sigurisë gjatë transportimit policor.
