Në seancën në Gjykatën Kushtetuese, ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ironizoi procesin e shkarkimit, duke thënë se nuk u njoftua kurrë ligjërisht për mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe se vendimi u mor me shpejtësi mbresëlënëse.
Gjatë fjalës së tij në Gjykatën Kushtetuese, Erion Veliaj vijoi mbrojtjen me tone ironike dhe emocionale, duke e cilësuar procesin e shkarkimit si të padrejtë dhe të zhvilluar në mungesë të çdo transparence. Ai deklaroi se për mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku u vendos largimi i tij nga detyra, kishte mësuar vetëm përmes televizorit të burgut.
“Nuk mora asnjë ftesë zyrtare nga Këshilli Bashkiak. Sekretari më dërgoi një njoftim, por ai nuk është anëtar i zgjedhur dhe nuk ka kompetencë të thërrasë mbledhje. Kur pashë se çfarë ndodhte, e ndoqa mbledhjen nga televizori i burgut. Dhe ju them me sinqeritet, pashë një efikasitet mbresëlënës: tetë vendime administrative brenda tetë orëve pune. Një shpejtësi që nuk e kam parë asnjëherë, as kur kërkoja ndihma për qytetarët,” tha ai me ironi.
Veliaj theksoi se është përjashtuar qëllimisht nga procesi, duke iu mohuar e drejta për t’u dëgjuar dhe për të mbrojtur veten. “Më është mohuar njoftimi, ftesa dhe e drejta për të qenë aty. Nuk e di nëse do t’i kisha bindur, por fjalët kanë peshë. Ju sot po bëni diferencën, sepse po dëgjoni palët,” u shpreh ai.
Në vijim, Veliaj u ndal te ndjesia e tradhtisë që, sipas tij, e përjetoi nga njerëzit me të cilët kishte punuar për vite. “Fyerja më e madhe në jetën time publike ishte që më tradhtuan ata që më njihnin. Tirana për 10 vite ishte një kantier i madh pune. E vetmja efikasitet që pashë tani ishte ai i padrejtësisë,” shtoi ai.
Në fund, Veliaj tha se nuk ndjen urrejtje, por keqardhje për mënyrën si u zhvillua procesi. “Nuk e di nëse do t’i shikoja në sy, por po ta bëja, do t’u kujtoja se nesër mund të ishin edhe ata viktima si unë,” përfundoi ai.
