Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur fjalën e tij në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese, ku shqyrtohet ankimi i tij kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra.Në fjalën e tij përpara trupës gjykuese, Veliaj u shpreh se po përballet me një proces të padrejtë dhe me një situatë që, sipas tij, përbën shkelje të të drejtave themelore dhe të vullnetit të qytetarëve.
“Beteja ime vjen pas një sage të gjatë dhe zhgënjyese. Jam rrëmbyer nga zyra ku më kanë zgjedhur qytetarët dhe jam mbyllur në një regjim burgosjeje më të rëndë se vrasësit serialë. Sot kam më shumë policë rreth vetes sesa avokatë,” tha Veliaj.
Ai shtoi se periudha e fundit ka qenë e mbushur me shkelje të të drejtave të tij dhe me një fushatë denigrimi ndaj figurës së tij.
“Jam zgjedhur tri herë radhazi nga qytetarët e Tiranës. Kjo që po ndodh është një përçmim ndaj votës, ndaj gjësë më të shenjtë që ka demokracia. Është një përçmim ndaj forcës që kanë qytetarët për të zgjedhur,” deklaroi ai.Veliaj theksoi se para gjykatës nuk ndodhej për të mbrojtur veten, por për të mbrojtur, siç tha ai, “demokracinë që sot po vihet në sprovë”.
“Nuk jam këtu të mbroj veten, sepse nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu me respektin për të kërkuar një gjë: a mund ta mbrojmë bashkë demokracinë? Ky nuk është mandati im personal, por një besëlidhje publike që më kanë dhënë qytetarët e Tiranës me vullnetin e tyre të lirë. Kjo besëlidhje është nderi i jetës sime dhe do ta mbroj deri në fund,” u shpreh ai.
Veliaj theksoi se askush nuk ka të drejtë t’i ndërpresë mandatin një të zgjedhuri para afatit, përveç rasteve kur provohen shkelje të rënda të ligjit.
