Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një fjalim të gjatë dhe të ngarkuar emocionalisht para Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar shkarkimin e tij si një akt politik dhe një rrezik për vetë demokracinë shqiptare.
Në një seancë që e cilësoi si historike, Erion Veliaj, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, kërkoi nga Gjykata Kushtetuese të rrëzojë vendimin për shkarkimin e tij, duke e quajtur të paligjshëm dhe në kundërshtim me parimet e demokracisë.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se nuk është para drejtësisë për të kërkuar mëshirë, por për të mbrojtur një të drejtë themelore që i përket qytetarëve dhe votës së lirë. “Mund të burgosësh një njeri, por nuk mund të burgosësh të vërtetën që ulëret”, tha ai, duke shtuar se “mosprezenca ime në detyrë nuk ka qenë zgjedhje, por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti”.
Veliaj theksoi se largimi i tij nga posti është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj parimit të prezumimit të pafajësisë dhe një precedent i rrezikshëm që mund të kthehet në praktikë të zakonshme për ndëshkime politike. “Nëse pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit mund të hiqet nga detyra pa vendim të formës së prerë, atëherë zgjedhjet humbin kuptimin, vota humbet peshën dhe demokracia përmbyset”, deklaroi ai.
Në vijim, Veliaj u ndal edhe te përjetimet personale gjatë periudhës së ndalimit, duke rrëfyer se fyerjen më të madhe në jetën e tij publike e mori nga bashkëpunëtorët që e shkarkuan. “Zoti i faltë, lutem çdo natë për ta. Më hoqën nga puna ata që donin të më shihnin me pranga në duar dhe jo me lopatë në duar”, u shpreh ai me ton reflektues.
Duke iu drejtuar trupës gjykuese, Veliaj tha se nuk kërkon privilegj, por drejtësi kushtetuese që mbron jo vetëm mandatin e tij, por vetë besimin e qytetarëve te vota dhe ligji. “Shteti që më ka privuar lirinë, tani më kërkon llogari për mungesën. Kjo është një kontradiktë që rrezikon vetë themelet e republikës”, tha ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, Veliaj theksoi se do të vazhdojë betejën deri në fund për të mbrojtur atë që e quajti “kontratë morale dhe publike” me qytetarët e Tiranës. “Nuk mbroj një karrige, por shpirtin e një besëlidhjeje me popullin që më ka zgjedhur. Drejtësia nuk është mëshirë, por detyrim ndaj republikës”, përfundoi ai.
