
Borxhi prej 30 mijë eurosh i marrë në Spanjë dyshohet se qëndron në qendër të konfliktit, ndërsa një prej vëllezërve është shpallur në kërkim
Policia e Tiranës ka vënë në pranga Ersi Cekanin, ndërsa vijojnë kërkimet për vëllain e tij, Ardi Cekani, pas një denoncimi të bërë nga një 29-vjeçar. I riu ka deklaruar se është kërcënuar dhe shantazhuar për një borxh prej 30 mijë eurosh, që dyshohet të jetë marrë në Spanjë disa kohë më parë.
Sipas të dhënave të hetimit, ndaj të riut janë bërë presione të vazhdueshme për shlyerjen e shumës, ku në një prej rasteve ai është ndjekur dhe është fotografuar banesa e tij, për t’i ushtruar frikë dhe detyrim psikologjik. Ngjarja ka arritur kulmin një ditë më parë, kur tre vëllezërit Cekani të shoqëruar nga tre persona të tjerë janë paraqitur për ta kërcënuar sërish.
Policia ndërhyri në kohë, duke arrestuar Ersi Cekanin, ndërsa një prej vëllezërve u shpall në kërkim dhe tjetri u procedua në gjendje të lirë, së bashku me tre personat që ishin me ta. Hetimet janë zgjeruar për të verifikuar burimin e shumës së pretenduar, si dhe lidhjet financiare të familjes Cekani.
Burime nga policia bëjnë me dije se vëllezërit Cekani rezultojnë me precedentë penalë të mëparshëm, përfshirë armëmbajtje pa leje dhe vjedhje. Ndërkohë, mbetet në shqyrtim edhe mundësia që rasti të ketë lidhje me aktivitet kriminal jashtë vendit, me fokus në marrëveshjet e bëra në Spanjë.
