
Prokuroria deklaron se konflikti për tokën e lokalit u kthye në motiv pasuror, duke çuar në përgatitjen e një skenari të detajuar ekzekutimi
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim vëllezërit Shkëlqim dhe Florian Dukaj, të akuzuar për vrasjen me paramendim të biznesmenit Eduart Reçi, një ekzekutim i kryer me snajper pas një konflikti të gjatë pronësor. Sipas akuzës, vëllezërit kanë vepruar në bashkëpunim, duke planifikuar në detaje mënyrën e vrasjes pas përplasjeve për një sipërfaqe toke ku ata kishin ndërtuar lokalin pa leje.
Hetimet tregojnë se Reçi kishte ndërtuar dy pallate dhe një vilë në Tiranë dhe i jepte me qira njësitë e tij. Prej vitesh ai kishte përplasje me vëllezërit Dukaj për sipërfaqen e tokës që ata kishin zënë dhe ku kishin ndërtuar lokalin e tyre. Debatet e vazhdueshme, sipas Prokurorisë, u shndërruan në motiv për vrasje.
Në aktet e hetimit thuhet se të pandehurit kanë përgatitur një plan të detajuar, duke bërë qitje në poligon, duke siguruar armë dhe dylbi, dhe duke studiuar kohën e lëvizjes së viktimës. Më 13 nëntor 2024, pasi kishin hedhur fishekzjarre për ta nxjerrë Reçin në oborr, e kanë qëlluar nga distanca, duke e lënë të vdekur në vend.
Prokuroria thekson se provat tregojnë qartë se vrasja është kryer me paramendim dhe për interes pasuror, duke i shmangur viktimës mundësinë të kërkonte zgjidhje ligjore për pronën e tij. Çështja do të shqyrtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
