
Të akuzuar për zjarrin tragjik në një klub nate në Goa që i mori jetën 25 personave, ata do të paraqiten para gjykatës për masën e sigurisë
Vëllëzërit Saurabh dhe Gaurav Luthra, të akuzuar si përgjegjës për zjarrin vdekjeprurës në një klub nate në Goa, janë arrestuar nga autoritetet indiane menjëherë pas mbërritjes në Delhi, pas dëbimit të tyre nga Tajlanda. Ata u ndaluan të martën, më 16 dhjetor, sapo zbarkuan nga fluturimi që vinte nga Bangkoku.
Sipas mediave indiane, vëllezërit Luthra ishin kapur disa ditë më parë në Phuket, Tajlandë, ku dyshohet se ishin fshehur pas largimit nga India. Ata akuzohen se u arratisën menjëherë pas zjarrit shkatërrues që përfshiu klubin e natës Birch by Romeo Lane, në zonën Arpora të Goas Veriore.
Ngjarja tragjike ndodhi më 6 dhjetor 2025 dhe rezultoi me humbjen e jetës së 25 personave, duke tronditur opinionin publik në Indi dhe duke hapur një hetim të gjerë për shkelje të rënda të rregullave të sigurisë dhe përgjegjësi penale të pronarëve të lokalit.
Autoritetet bëjnë me dije se Saurabh dhe Gaurav Luthra do të paraqiten para Gjykatës Patiala House në Delhi, ku pritet të zhvillohen seancat për caktimin e masës së sigurisë dhe procedurat e mëtejshme të hetimit.
Hetimet për zjarrin në klubin e natës vijojnë, ndërsa autoritetet indiane kanë paralajmëruar masa të forta ligjore ndaj kujtdo që rezulton përgjegjës për këtë tragjedi me pasoja të rënda njerëzore.
