
Dy vëllezër nga Burreli, Klevis dhe Artur Hoxhosmani, janë në qendër të një hetimi evropian që ka tronditur Britaninë dhe Shqipërinë. Daily Mail i përshkruan si Ali Baba dhe 40 hajdutët, simbol i një rrjeti gjigand trafiku kokaine me vlerë qindra milionë paund
Një histori që duket si e dalë nga filmat e mafies është zbuluar nga Daily Mail: dy vëllezër shqiptarë, Klevis dhe Artur Hoxhosmani, janë akuzuar për ngritjen e një prej perandorive më të mëdha të kokainës në Evropë, me degë në Londër, Paris, Bruksel dhe Tiranë.
Hetuesit britanikë dhe shqiptarë flasin për një rrjet të sofistikuar kontrabande, që maskonte tonelata droge brenda kontejnerëve me banane e kakao, për t’i futur në portet e Belgjikës dhe Holandës e më pas në Britani.
Pas një jete të shfrenuar mes luksit, dy vëllezërit u arrestuan në Tiranë, ku sipas prokurorisë drejtonin një grup kriminal ndërkombëtar me mbi 16 bashkëpunëtorë aktivë. Policia ka sekuestruar një flotë makinash të shtrenjta, përfshirë një Mercedes-Benz AMG G63, një jaht luksoz në Dubai dhe orë koleksioni të markave Rolex e Richard Mille.
Në artikullin e gjatë të Daily Mail, vëllezërit Hoxhosmani përshkruhen si Ali Baba dhe 40 hajdutët; një nofkë që, sipas britanikëve, i përshkruante më së miri aktivitetin e tyre në qytetin e Bournemouth, ku ata jetonin si azilantë politikë dhe drejtonin lavazhe makinash, dyqane gomash e kafene.
Sipas mediave britanike, ata e ndërtuan perandorinë e tyre nën petkun e biznesmenëve të ndershëm, ndërkohë që rrjeti i kokainës lëvizte miliona paund çdo muaj nga Amerika Latine drejt tregjeve të BE. Hetuesit në Londër flasin për një operacion që rivalizon strukturat më të avancuara të mafieve kolumbiane.
Në Shqipëri, ku mbahen në paraburgim, Klevisi dhe Arturi pritet të dalin në gjyq për akuzat e trafikimit të 335 milionë paundëve kokainë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se dyshja përdorte një sistem kompleks kompanish fantazmë për të larë paratë përmes pasurive të paluajtshme dhe bizneseve të vogla.
Historia e tyre ka ngjallur tronditje në opinionin publik britanik, duke vënë në qendër edhe dështimet e sistemit të emigracionit të Mbretërisë së Bashkuar. Të dy kishin hyrë si azilantë shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre kishte përdorur një datëlindje të rreme për të shmangur verifikimet.
Nga rrugicat e Burrelit tek jahti në Dubai, udhëtimet luksoze në jug të Francës e apartamentet në Tiranë, saga e vëllezërve Hoxhosmani është shembulli i kontrastit mes shkëlqimit të fitimeve dhe errësirës kriminale që i shoqëron.
Sot, perandoria e tyre është rrënuar dhe Ali Baba shqiptar duket se ka humbur pas derës së hekurt të një paraburgimi në Tiranë.