
Gjykata nuk jep ende verdikt nëse çështja do të kalojë për gjykim, palët pa mbrojtje të paraqitur
Seanca në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë sërish. Vendimi për kalimin ose jo të dosjes për gjykim nuk u mor, ndërsa seanca e radhës është caktuar për datën 2 shkurt.
Veliaj u paraqit këtë të hënë në GJKKO së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave, ndërsa në sallën e gjyqit ishin të pranishëm dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Ols Dado.
Burime nga gjykata bëjnë me dije se palët ende nuk kanë paraqitur mbrojtjen e tyre, duke e lënë të hapur vendimmarrjen e trupës gjykuese për fazën e mëtejshme të procesit. Pikërisht kjo mungesë e qëndrimeve përfundimtare ka sjellë shtyrjen e radhës të seancës.
Çështja ndaj Veliajt po ndiqet me interes të lartë publik, pasi në këtë fazë procedurale pritet të vendoset nëse dosja do të kalojë për gjykim të plotë apo do të marrë një tjetër rrjedhë ligjore. Vendimi i GJKKO-së më 2 shkurt pritet të jetë përcaktues për vijimin e procesit.
