
Javën e ardhshme, Gjykata vendos nëse masa e GJKKO cenon imunitetin e ministres dhe parimin e ndarjes së pushteteve
Kolegji Penal i Gjykatës Kushtetuese do të shqyrtojë javën e ardhshme çështjen e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, pas ankimit të bërë nga Qeveria dhe kryeministri Edi Rama. Vendimi pritet të përcaktojë nëse masa e miratuar nga GJKKO, me kërkesë të SPAK, është në përputhje me Kushtetutën.
SPAK kërkoi pezullimin e Ballukut nga funksionet qeveritare, pasi ajo u mor e pandehur në hetimet për Tunelin e Llogarasë. GJKKO miratoi masën, duke argumentuar se të drejtat e saj si deputete nuk cenohen dhe se pezullimi lidhet me funksionin ekzekutiv, jo atë parlamentar.
Qeveria e kundërshtoi vendimin, duke pretenduar se ai shkel nenin 103 të Kushtetutës, që i njeh ministrit të njëjtin imunitet si deputetit. Sipas argumentimit të Kryeministrit, një masë pezullimi e tillë nuk mund të vendoset ndaj një anëtari të Këshillit të Ministrave, pasi do të cënonte funksionimin normal të qeverisë dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Nga ana tjetër, GJKKO u mbështet te neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, që lejon pezullimin nga detyra, duke theksuar se ky nen ndalon vetëm pezullimin e personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, pra të deputetëv, jo të ministrave.
Qeveria këmbëngul se ministri, duke qenë i barazuar kushtetueshëm me deputetin në imunitet, duhet të ketë të njëjtat mbrojtje edhe në aspektin e ushtrimit të detyrës. Sipas saj, vendimi i GJKKO përbën interpretim të gabuar të ligjit dhe një ndërhyrje në kompetencat kushtetuese të ekzekutivit.
Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë brenda javës së ardhshme, nëse masa e pezullimit do të konfirmohet apo do të shfuqizohet.
