
Vendimi vjen disa ditë pasi Machado u shpall fituese e Çmimit Nobel për Paqe 2025 në Oslo, në një veprim që shihet si sfidë ndaj regjimit të Nicolas Maduros.
Qeveria e Venezuelës ka njoftuar se do të mbyllë ambasadën e saj në Norvegji, vetëm pak ditë pas shpalljes së lideres së opozitës, Maria Corina Machado, si fituese e Çmimit Nobel për Paqe 2025. Vendimi është interpretuar gjerësisht si reagim politik ndaj një prej kritikëve më të ashpër të regjimit të presidentit Nicolás Maduro.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme norvegjeze konfirmoi për agjencinë Reuters se ambasada e Venezuelës në Oslo kishte njoftuar mbylljen pa dhënë asnjë arsye zyrtare. Është për të ardhur keq. Pavarësisht dallimeve tona, Norvegjia dëshiron të mbajë të hapur dialogun me Venezuelën dhe do të vazhdojë të punojë në këtë drejtim, tha zëdhënësi. Ai theksoi se Komiteti Nobel, i cili jep çmimin, është një organ i pavarur nga qeveria norvegjeze.
Maria Corina Machado, e cila ndodhet në arrati që nga viti 2024, u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqe për kurajën e jashtëzakonshme civile në Amerikën Latine në vitet e fundit. Ajo është e njohur për përpjekjet e saj për të denoncuar korrupsionin, dhunën politike dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nën regjimin e Maduros.
Machado u ndalua të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, të cilat u fituan nga Maduro mes akuzave të shumta për manipulim votash dhe shtypje opozitare. Në një mesazh të publikuar pas shpalljes së çmimit, Machado ia dedikoi Nobelin popullit që po vuan në Venezuelë dhe falënderoi Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për mbështetjen e tij ndaj demokracisë venezueliane.
Përveç mbylljes së ambasadës në Norvegji, Venezuela ka vendosur të mbyllë edhe ambasadën e saj në Australi, duke njoftuar një riorientim të marrëdhënieve diplomatike drejt vendeve që i cilëson si aleatë strategjikë në luftën kundër kolonializmit. Në këtë kuadër, Caracas pritet të hapë ambasada të reja në Burkina Faso dhe Zimbabve.
As Norvegjia dhe as Australia nuk kanë ambasada në Caracas , shërbimet konsullore për qytetarët e tyre ofrohen nga përfaqësitë në Kolumbi.
Tensionet ndërmjet Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar ndjeshëm muajt e fundit. Uashingtoni, nën udhëheqjen e Presidentit Trump, ka shpallur një luftë zyrtare ndaj karteleve të drogës në Amerikën Latine, përfshirë grupin venezuelian Tren de Aragua. Që nga shtatori, ushtria amerikane ka kryer të paktën katër sulme detare ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe.
Maduro, nga ana e tij, e ka cilësuar fushatën amerikane si tentativë për ndryshim regjimi dhe i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB që të ndërhyjë.
Vendimi për mbylljen e ambasadës në Oslo pritet të thellojë izolimin ndërkombëtar të Venezuelës dhe të shënojë një kapitull të ri në përplasjen mes regjimit të Maduros dhe opozitës që tani gëzon mbështetje të fortë ndërkombëtare, të vulosur me një Çmim Nobel për Paqe që po trondit Caracas.