Ministri i Mbrojtjes thotë se interesimi i të rinjve për t’u bërë pjesë e ushtrisë shqiptare është rritur me mbi 67% vetëm në fazën e parë të këtij viti
Forcat e Armatosura shqiptare po përjetojnë një rritje të ndjeshme të interesit nga të rinjtë, me një valë të re rekrutimesh që konfirmon besimin në rritje ndaj karrierës ushtarake. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se vetëm gjatë fazës së parë të rekrutimeve për vitin 2025, është shënuar një rritje prej 67,1% krahasuar me një vit më parë.
Sipas tij, 274 kandidatë fitues nga faza e tretë e rekrutimit do t’i bashkohen së shpejti 447 kursantëve që janë regjistruar që në fillim të vitit. Kjo rritje, sipas ministrit, dëshmon për një besim të shtuar të brezit të ri në ushtrinë shqiptare si një mundësi e qëndrueshme dhe dinjitoze për zhvillim profesional.
“Interesi i të rinjve dhe të rejave për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura tregon jo vetëm përkushtimin e tyre ndaj vendit, por edhe besimin se kjo strukturë ofron një karrierë të ndershme dhe me perspektivë,” deklaroi Vengu.
Ai shtoi se Forcat e Armatosura po shndërrohen në një institucion gjithnjë e më tërheqës jo vetëm për qytetarët që vijnë nga jeta civile, por edhe për ushtarakët që tashmë janë pjesë e sistemit.
Në krahasim me vitin 2024, kur mesatarja e regjistrimeve në çdo fazë ishte rreth 237 ushtarakë, këtë vit vetëm në fazën e parë janë regjistruar 353 të rinj dhe të reja , një tregues i qartë i trendit në rritje të interesit për t’i shërbyer Atdheut në uniformë.
