
Djali i presidentit amerikan njoftoi autoritetet britanike nga SHBA, pasi dyshohet se pa një grua duke u dhunuar nga ish-partneri i saj përmes Facetime
Barron Tramp, djali më i vogël i presidentit amerikan Donald Tramp, ka kryer një veprim që autoritetet dhe dëshmitarët e përshkruajnë si vendimtar, pasi ka njoftuar policinë britanike nga Shtetet e Bashkuara, pasi gjatë një video-telefonate dyshohet se ka parë një grua duke u dhunuar nga ish-partneri i saj.
Ngjarja u bë publike gjatë një procesi gjyqësor që po zhvillohet në Londër, ku ish-luftëtari i MMA-së, Matvei Rumiantsev, përballet me akuza për dhunë dhe vepra të rënda penale ndaj ish-partneres së tij. I pandehuri i ka mohuar akuzat.
Sipas dëshmisë së dhënë në gjykatë, Barron Tramp, 19 vjeç, kishte kontaktuar me të renë përmes rrjeteve sociale dhe më pas përmes një video-telefonate. Gjatë kësaj lidhjeje, ai dyshohet se pa skena dhune dhe vendosi të kontaktojë menjëherë policinë britanike, pavarësisht se ndodhej në SHBA.
Në një transkript të publikuar nga prokuroria britanike, Barron Tramp shpjegon se ishte një situatë emergjente dhe se kishte frikë për jetën e vajzës. Gruaja, duke dëshmuar në gjykatë, deklaroi se telefonata e tij e ndihmoi të shpëtonte dhe e përshkroi veprimin e tij si jetik në atë moment.
Policia britanike ndërhyri pas telefonatës dhe më pas i kërkoi Barron Trampit të jepte një deklaratë si dëshmitar. Ai konfirmoi se pamjet që pa ishin të shkurtra, por mjaftueshëm shqetësuese për të kërkuar ndihmë urgjente.
Gjatë hetimeve, autoritetet konfirmuan se gruaja kishte qenë në një lidhje disa mujore me të pandehurin dhe se incidenti ndodhi pas një konflikti mes tyre. Procesi gjyqësor ndaj Rumiantsev vijon, ndërsa çështja ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të rolit të papritur të djalit të presidentit amerikan në njoftimin e autoriteteve.
