Një nënë e moshuar, e ulur në një stol në Astir, me pak rroba, bastunin dhe qenin e saj pranë, po kalonte natën e dytë rrugëve, në të ftohtë, e vetme.
Prej dy muajsh, ajo jetonte në errësirë, pa drita dhe pa ujë, duke mbajtur shpresën se do t’ia dilte me pensionin e saj të vogël. Por kur nuk mundi më të paguante qiranë, u nxorr jashtë nga pronari i shtëpisë.
Faqja JOQ nxori foton e saj, të vetme në të ftohtë, cka solli një shpërndarje të gjerë dhe shumë reagime.
Rreth orës 03:00 të mëngjesit, zonja Hidershaj vetë shkoi në Astir për ta marrë nënën e braktisur, bashkë me qenin e saj.
“Vetëm qeni më qëndroi besnik,” ishte shprehur nëna teksa makina largohej nga stoli i ftohtë që për dy net ishte bërë “shtëpia” e saj.
Ina Malhani tregon për Dritare TV se nëna, e cila i ka kaluar të 70-tat, kishte vetëm dy vajza. Ato jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërsa kanë humbur kontaktin prej kohësh. Me origjinë nga Skrapari e moshuara nuk kishte asnjë familjar, dhe prej kohësh jetonte e vetme në Astir, vetëm me pensionin e saj.
Sot, ajo ndodhet e strehuar, e ngrohur, e ushqyer dhe nën kujdes në Qendrën “Ismail Bej Vlora 2” në Sauk. Është e vetëdijshme, pa probleme serioze shëndetësore dhe, mbi të gjitha, nuk është më vetëm. Pranë saj është ende ai që nuk iu largua kurrë – qeni i saj besnik.
Ina Malhani vullnetare për njerëzit në nevojë, u njoftua për rastin dhe, pa humbur kohë, kontaktoi drejtoreshën e Qendrës “Ismail Bej Vlora 2”, znj. Agetina Hidershaj.
