Një video e re tregon përballjen e tensionuar mes Renee Good dhe agjentëve federalë, sekonda para se të hapej zjarri, ndërsa rasti shkakton përplasje të forta politike në SHBA.
Pamje të reja të publikuara së fundmi kanë hedhur dritë mbi momentet dramatike që çuan në vrasjen e Renee Nicole Good, 37 vjeçe, e qëlluar për vdekje nga një agjent i Immigration and Customs Enforcement në Minneapolis.
Videoja, e publikuar nga Alpha News, është filmuar me telefon nga vetë agjenti federal Jonathan Ross dhe tregon një përballje të tensionuar mes tij, Renee Good dhe bashkëshortes së saj, Rebecca Good. Në pamje dëgjohet qartë zëri i bashkëshortes që i bërtet viktimës të largohet me makinë, pak çaste përpara se të ndodhte incidenti fatal.
Sipas pamjeve, Renee Good ndodhej në automjetin e saj, një Honda SUV, ndërsa agjentët po i afroheshin dhe i kërkonin të dilte nga makina. Në një moment, makina lëviz dhe menjëherë pas kësaj dëgjohen të shtënat me armë zjarri. Autoritetet federale kanë deklaruar se agjenti veproi në vetëmbrojtje, duke pretenduar se jeta e tij ishte në rrezik.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare e ka cilësuar veprimin e Renee Good si një akt ekstrem dhune, ndërsa presidenti Donald Tramp dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë dalë në mbrojtje të agjentit të ICE. Në të kundërt, kryetari i bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, ka hedhur poshtë këtë version, duke e quajtur justifikimin e autoriteteve federale të pabazuar.
Ngjarja ka shkaktuar protesta të ashpra në Minneapolis, duke detyruar autoritetet të mbyllin shkollat për pjesën e mbetur të javës. Rasti po hetohet paralelisht në nivel federal dhe shtetëror, ndërsa ekspertë ligjorë shprehen se ngritja e akuzave ndaj agjentit federal mbetet e vështirë në klimën aktuale politike.
Familja e Renee Good ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugën e padisë civile, ndërsa publikimi i videos së re pritet të rrisë edhe më shumë debatet mbi përdorimin e forcës vdekjeprurëse nga agjentët federalë dhe kufijtë e ligjit në situata të tilla.

