Prej disa ditësh, Mali i Zi po përballet me një aferë serioze që ka përfshirë figura të larta shtetërore, ku në qendër të saj janë Mirjana Pajkoviq dhe Dejan Vukshiq, ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe ish-këshilltar i Presidentit.
Skandali ka çuar në dorëheqjen e të dyve nga funksionet publike.
Vukshiq dha dorëheqjen në fund të vitit të kaluar, pas tre kallëzimeve penale të depozituara kundër Pajkoviq, ndërsa të premten e kaluar, Pajkoviq u largua nga detyra si drejtoreshë e Drejtorisë për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.
E ftuar në emisionin “Puls of Serbia Weekend”, Mirjana Pajkoviq hodhi poshtë zërat për një skandal seksual, duke e cilësuar çështjen si krim kibernetik dhe shkelje të të drejtave kushtetuese.
“Ky nuk është një skandal seksual, por një problem sigurie me natyrë dixhitale. Është një akt që cenon të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe duhet të shqetësojë çdo qytetar,” deklaroi ajo.
Pajkoviq theksoi se ka dhënë dorëheqjen si akt përgjegjësie personale, për të mos dëmtuar institucionin që përfaqësonte, duke shtuar se nuk ka pasur bazë ligjore për shkarkimin e saj.
