

Autoritetet vietnameze ngrenë nivelin më të lartë të alarmit, teksa tajfuni Bualoi kërcënon me stuhi, përmbytje dhe rrëshqitje dheu
Vietnami ka mobilizuar mbi 100 mijë trupa ushtarake për të ndihmuar evakuimin e rreth 250 mijë banorëve, pasi tajfuni Bualoi po i afrohet brigjeve me erëra që arrijnë deri në 130 km/h. Autoritetet kanë mbyllur disa aeroporte dhe kanë urdhëruar kthimin në port të të gjitha anijeve të peshkimit.
Ky është tajfuni i dhjetë që godet vendin këtë vit dhe, sipas agjencisë kombëtare të meteorologjisë, është pothuajse dy herë më i shpejtë se ciklonet mesatare. Ai pritet të shkaktojë erëra të forta, reshje të dendura, përmbytje, rrëshqitje dheu dhe vërshime bregdetare.
Raportohet se tre peshkatarë kanë humbur kontaktin pas fundosjes së një varke pranë provincës Quang Tri, ndërsa tetë të tjerë janë shpëtuar. Në qytetin Da Nang, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e mbi 210 mijë banorëve, ndërsa në Hue, mbi 32 milë persona po zhvendosen drejt zonave më të sigurta.
Në provincën Ha Tinh, e njohur për industrinë e çelikut, mbi 15 mijë persona janë strehuar në shkolla e qendra mjekësore të përshtatura si strehimore të përkohshme. Brigjet po përforcohen me rërë, gurë dhe materiale të tjera për të përballuar goditjet e tajfunit.
Bualoi ka lënë pas gjurmë shkatërrimi edhe në Filipine, ku të paktën 10 persona humbën jetën dhe dhjetë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po e bëjnë çdo vit më të fuqishëm dhe më shkatërrues sezonin e tajfuneve në Azinë Juglindore.