
Dyshohet se brenda një jave kryen disa vjedhje në dyqane të ndryshme të kryeqytetit
Policia e Tiranës ka arrestuar Elvis Cara, 38-vjeç, dhe Marvin Frashnishta, 40-vjeç që udhëtonin nga Durrësi drejt kryeqytetit për të kryer vjedhje në biznese të ndryshme. Të dyshuarit akuzohen se gjatë kësaj jave kanë vjedhur para dhe pajisje elektronike në disa dyqane, ndërsa autoritetet u kanë sekuestruar edhe automjetin që përdornin për lëvizje.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 4 dhe Nr. 2 kanë ndërhyrë menjëherë pas kallëzimeve të qytetarëve, duke finalizuar operacionin e koduar Duo. Gjatë këtij operacioni u lokalizuan dhe u arrestuan shtetasit Elvis Cara, 38-vjeç, dhe Marvin Frashnishta, 40-vjeç , të dy banues në Durrës.
Nga hetimet paraprake dyshohet se më 15 dhjetor 2025, ata kanë vjedhur tetë pajisje elektronike në një dyqan në zonën e Yzberishtit. Më 17 dhjetor, dyshohet se kanë marrë një shumë parash në një dyqan në rrugën Bardhyl, ndërsa më 19 dhjetor kanë vjedhur një pajisje elektronike në një biznes në Rrugën e Kavajës.
Policia bën me dije se puna vijon për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
