
Presidentja fton qytetarët të marrin pjesë masivisht në proces: “E ardhmja e komunave tona formësohet sot”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me bashkëshortin Prindon Sadriu, ka votuar sot në Fakultetin Teknik në Prishtinë, në kuadër të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Pas hedhjes së votës, Osmani iu drejtua mediave me një apel për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve.
Ajo theksoi se votimi është vendimtar për të ardhmen e komuniteteve dhe fëmijëve që do të jetojnë në to. “Çdo votë ka peshë. Sot është një ditë po aq e rëndësishme sa raundet e tjera zgjedhore. I ftoj të gjithë qytetarët ta përdorin të drejtën e tyre dhe të dalin në votime”, u shpreh Osmani.
Presidentja theksoi se Kosova qëndron e para në rajon për sa i përket cilësisë së proceseve zgjedhore dhe pjesëmarrjes qytetare. Sipas saj, zgjedhjet në Kosovë zhvillohen me standarde të larta demokratike, transparencë dhe rregulls i procedural.
“Kosova ka demokracinë më solide elektorale në rajon. Kjo vjen sepse qytetarët tanë votojnë lirshëm, sepse proceset tona janë të rregullta dhe sepse i ruajmë zgjedhjet të lira e të ndershme”, u shpreh Osmani.
Procesi i votimit vijon në të gjitha komunat e përfshira, me autoritetet zgjedhore që raportojnë zhvillim të qetë dhe pa incidente.
