
Pas ditësh protestash dhe përplasjeje me autoritetet, qyteti nis furnizimin gradual me ujë ndërsa zgjidhja përfundimtare ende pritet
Pas pesë ditësh mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, një pjesë e qytetit të Vlorës ka nisur të furnizohet pas rregullimit të defektit në tubin kryesor, i cili u përfundua gjatë orëve të para të mëngjesit. Riparimi është kryer rreth orës 04:00, moment kur ka nisur edhe mbushja e depove, megjithatë furnizimi po realizohet ende me kapacitet të kufizuar për shkak të testimit të pajisjes së re të montuar.
Kriza e ujit ka shkaktuar zemërim të fortë te qytetarët, të cilët prej ditësh kanë dalë në protesta të vazhdueshme përpara Bashkisë së Vlorës. Situata ka qenë e tensionuar, me tentativa për të hyrë në ambientet e bashkisë dhe përplasje me forcat e policisë, ndërsa protestuesit kanë kërkuar zgjidhje të menjëhershme për mungesën e ujit.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Flauers Shoshi, ka sqaruar se ndërprerja e furnizimit është shkaktuar nga shkarja e dheut dhe depërtimi i ujërave në një linjë të vjetër tubacionesh. Sipas tij, përpjekjet për riparim gjatë ditëve të fundit kanë dështuar për shkak të presionit të lartë, i cili ka çarë vazhdimisht pjesët e riparuara.
Si pasojë e avarisë, mijëra familje në Vlorë kanë mbetur pa ujë, ndërsa në disa zona qytetarët janë detyruar të përdorin burime alternative. Shërbimet kritike, përfshirë spitalin dhe institucione të tjera me rëndësi të veçantë, janë furnizuar përmes autoboteve nga burimi Uji i Ftohtë.
Situata ka ndikuar edhe në jetën sociale të qytetit. Dy ditë më parë, protestuesit ndërhynë gjatë një aktiviteti të organizuar nga bashkia, duke bllokuar bulevardin Ismail Qemali dhe duke shkaktuar përplasje me policinë.
Për herë të parë ka reaguar publikisht edhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, e cila e ka cilësuar situatën si një fatkeqësi natyrore dhe ka bërë thirrje që kriza të mos përdoret për qëllime politike. Ajo ka bërë të ditur se zgjidhja përfundimtare është në proces, ndërsa pjesët rezervë për riparimin e plotë të defektit po vijnë nga jashtë vendit.
Ndërkohë, autoritetet lokale kanë vënë në funksion një zgjidhje të përkohshme, duke furnizuar pjesërisht qytetin përmes rrjetit ekzistues dhe duke angazhuar autobotë të shumta për shpërndarjen e ujit të ambalazhuar. Sipas tyre, furnizimi pritet të normalizohet gradualisht brenda orëve në vijim.
Qytetarët e Vlorës mbeten ende në pritje të rikthimit të plotë të ujit të pijshëm dhe të një zgjidhjeje përfundimtare që të shmangë përsëritjen e krizave të tilla në të ardhmen.
