
Stakimi i Stacionit Nr. 4 lë pa furnizim një pjesë të qytetit nga ora 08:00 deri në 18:00
Problemet me furnizimin me ujë të pijshëm vijojnë të mbeten një shqetësim serioz për qytetin e Vlorës, duke rikthyer edhe një herë situata që qytetarët i konsiderojnë të përsëritura dhe të papranueshme.
Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka njoftuar se për shkak të punimeve për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, ditën e premte do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë në një pjesë të qytetit. Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 08:00 deri në 18:00 do të stakohet Stacioni Nr. 4, çka do të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimin me ujë për zonat që marrin ujë nga depoja e qytetit.
Si pasojë, një numër i madh banorësh do të mbeten pa ujë gjatë orëve të pasdites, duke krijuar vështirësi për familjet, bizneset dhe aktivitetet e përditshme, veçanërisht në një qytet turistik si Vlora.
Nga UK Vlorë bëhet me dije se nga kjo ndërprerje nuk do të preken zonat Lungomare, Uji i Ftohtë, Kalaja, 10 Korriku, Çentrale, Bishti i Kalldëmit dhe Radhimë.
Pavarësisht këtij sqarimi, qytetarët shprehen të revoltuar për ndërprerjet e shpeshta, duke theksuar se mungesa e ujit vijon të jetë një problem i pazgjidhur për Vlorën, pavarësisht premtimeve të përsëritura për përmirësimin e situatës.
