
Segmentet drejt Zvërnecit dhe Plazhit të Vjetër preken nga rrëzimi i pemëve; ekipet bashkiake punojnë për normalizimin e situatës
Vlora është goditur sërish nga kushtet e vështira atmosferike, ku era e fortë ka shkaktuar disa probleme në zona të ndryshme të qytetit. Në afërsi të rrugës kryesore, një pemë shumëvjeçare është rrëzuar duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe mjetet që lëviznin në zonë.
Situata është e ngjashme edhe në Pyllin e Sodës, ku disa pisha janë shembur nga era, duke bllokuar përkohësisht segmentin që lidh qytetin me fshatin Zvërnec. Lëvizja e automjeteve është vështirësuar deri në ndërhyrjen e forcave bashkiake, të cilat kanë nisur pastrimin e rrugës.
Probleme janë raportuar edhe në Plazhin e Vjetër, ku një pemë e madhe ka rrezikuar qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve. Për shkak të situatës, njëra korsi e rrugës është mbyllur përkohësisht, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë në terren për largimin e pemës dhe rikthimin e qarkullimit normal.
Megjithëse era e fuqishme ka sjellë dëmtime në infrastrukturën e gjelbër, autoritetet bëjnë me dije se deri tani nuk ka probleme me përmbytje në territorin e Vlorës.
