
Rezultatet paraprake konfirmojnë epërsinë e qartë të VMRO në shkallë kombëtare dhe të VLEN në komunat me shumicë shqiptare, ndërsa partia e Ali Ahmetit shënon disfatën më të thellë politike në dy dekada.
Zgjedhjet lokale të mbajtura dje në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar një ndryshim të ndjeshëm në hartën politike të vendit. Sipas rezultateve të para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, partia konservatore VMRO-DPMNE ka arritur fitore bindëse në shumicën e komunave, duke konsoliduar pushtetin vendor në rreth 30 bashki dhe duke kryesuar në mbi 20 të tjera që do të shkojnë në raundin e dytë më 2 nëntor.
Kryeministri dhe kreu i VMRO, Hristijan Mickoski, e cilësoi rezultatin:“fitore të qartë të qytetarëve ndaj politikave të vjetra”, duke theksuar se partia e tij ka marrë më shumë vota se në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Ai mohoi çdo mundësi për zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se vendi ka zgjedhur stabilitetin kundër etnocentrizmit.
Ndërkohë, koalicioni shqiptar në pushtet VLEN ka arritur një sukses të dukshëm në zonat me popullsi shqiptare, duke fituar në Tetovë, Çair, Tearcë, Zhelinë, Bogovinë dhe disa komuna të tjera. Në Tetovë, Bilall Kasami ruajti epërsinë ndaj kandidatit të BDI me rreth 4 mijë vota diferencë, ndërsa në Çair, Izet Mexhiti mposhti bindshëm Bujar Osmanin.
Sipas të dhënave paraprake, VLEN pritet të jetë forca kryesore shqiptare në nivel lokal, duke kaluar për herë të parë BDI-në në numrin e komunave të fituara. Fitorja në disa zona tradicionale maqedonase, si Çashka, shihet si simbolikë e integrimit dhe e prishjes së vijave etnike në zgjedhje.
Në krahun tjetër, BDI dhe koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) kanë pësuar një rënie të theksuar, duke fituar vetëm në pesë komuna; ndër to Gostivari, Likova, Çashka dhe Plasnica. Humbjet në bastione të vjetra si Tetova, Çairi dhe Saraji janë interpretuar si një sinjal i qartë për rënie të ndikimit politik të Ali Ahmetit.
Partia opozitare LSDM shënoi gjithashtu rezultate të dobëta, megjithëse lideri i saj, Venko Filipçe, deklaroi se partia është në proces konsolidimi të brendshëm dhe do të synojë përmirësim në raundin e dytë.
Në total, në zgjedhjet për 81 komuna morën pjesë mbi 300 kandidatë dhe rreth 10 mijë pretendentë për këshilla komunalë. Procesi u zhvillua në përgjithësi pa incidente madhore, ndërsa në tri komuna: Mavrovë-Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë, votimi do të përsëritet për shkak të pjesëmarrjes së ulët.
Zgjedhjet e këtij viti po cilësohen nga analistët sipikë kthese për skenën politike maqedonase, me një ndarje të qartë midis forcave të reja dhe elitave të vjetra, si dhe me ripozicionim të dukshëm të faktorëve shqiptarë në drejtim të një fuqie më të decentralizuar dhe më të unifikuar politikisht.