
Elham, 9 vjeçe, mbijeton sulmin që i mori familjen dhe mbart plagë që i kanë ndryshuar jetën
Nëntëvjeçarja Elham Abu Hajjaj nga Gaza është një prej mijëra fëmijëve që kanë pësuar djegie të rënda gjatë sulmeve izraelite. Ajo kujton vetëm momentin kur nëna e mori në krahë dhe nisi të lutej pak çaste para shpërthimit që i shkatërroi banesën në lagjen al Saffaweh të Gazës. Kur u zgjua, Elhami e gjeti veten në spital, e lidhur me aparatura, ndërsa trupi i saj dridhej nga dhimbjet.
Mjekët nuk i dhanë përgjigje kur vajza pyeti për prindërit. Sulmi kishte vrarë të dy. Ajo vetë kishte pësuar djegie të shkallës së tretë në qafë, krahë dhe këmbë. Vetëm pasi gjyshi e mori në shtëpinë e tij, Elhami kuptoi se prindërit nuk ishin më dhe shpërtheu në lot.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 3,350 persona në Gaza kanë pësuar djegie të rënda që kërkojnë trajtim afatgjatë, ndërsa rreth 70 për qind e atyre që i nënshtrohen ndërhyrjeve për djegie janë fëmijë. Qindra prej tyre i kanë marrë plagët gjatë shpërthimeve në zona të banimit.
Elham, e cila tani jeton me gjyshërit, xhaxhain dhe vëllain që mbijetuan, thotë se ka ndier një dritë gëzimi kur mësoi se vëllai i saj ishte gjallë. Por dhimbja për humbjen e prindërve vazhdon ta shoqërojë çdo ditë.
Në mes të rrënojave që dikur ishin banesa e tyre, vogëlushja ka gjetur një mënyrë për të shprehur emocionet: vizatimin. Ajo thotë se vizaton për të harruar atë që ka ndodhur. Vepra e saj e fundit ka qenë një vizatim i shtëpisë së shkatërruar, por në letër ajo e rindërtoi, duke shtuar një lisharëse dhe një pemë — pemën që i ati kishte mbjellë dikur.
Në Gaza, sipas të dhënave të Qendrës Palestinene të Statistikave, më shumë se 39,000 fëmijë kanë humbur një ose të dy prindërit, ndërsa rreth 17,000 prej tyre janë mbetur pa familje që nga fillimi i luftës në vitin 2023.
Historia e Elhamit mbetet një ndër mijëra rrëfimet e fëmijëve që po rriten mes humbjes, plagëve dhe shpresës për një jetë që të paktën në vizatime mund të ndërtohet sërish.
