Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në homazhet në nderim të ish-kryeministrit dhe liderit historik Fatos Nano, që po zhvillohen në Pallatin e Kongreseve.
Ahmeti, i cili kishte ushtruar më parë të drejtën e tij të votës në raundin e dytë zgjedhor, shpjegoi se pjesëmarrja në ceremoninë e homazheve ishte një detyrim personal dhe shprehje respekti për figurën e Nanos. Ai e përshkroi Nanon si mik, shok dhe vëlla në ditë të vështira.
“Ka ngjarje që nuk parashihen, ka çështje që janë jashtë parashikimeve tona. Sot për mua dhe për shqiptarët është ndarë nga jeta kryeministri historik i Shqipërisë, Fatos Nano, unë e kam pasur shok, mik e vëlla në ditë të vështira. Dhe do të marrë pjesë në varrimin e tij. Kjo ka qenë arsyeja që unë të kryejë detyrimin tim në qendrën e votimit dhe do të marrë rrugën në Tiranë për të marrë pjesë në homazhet që mbahen në ndër të kryeministri Fatos Nano”, tha Ali Ahmeti.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e zgjedhjeve dhe u shpreh se kjo është një mundësi për qytetarët që të zgjedhin më të mirët për të udhëhequr vendin.“Do të doja të uroja një proces të mbarë, të rregullt dhe të përmbushen të gjitha standardet të cilat na ndërojnë si për imazhin edhe për autoritetin e shtetit. Uroj që zgjedhjet të shkojnë mbarë e mirë në të gjithë Republikën, të përmbushen norma të mirëfillta. Uroj që të fitojnë më të mirët. Janë zgjedhje të rëndësishme si nga karakteri politik ashtu edhe nga ai lokal .Pres që të zgjedhur t’i kryejnë të gjitha premtimet përpara elektoratit”, tha ndër tjerash Ahmeti.
