
Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka thyer sot heshtjen zgjedhore pasi bëri thirrje për votim të kandidatëve socialistë në zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki të vendit.
Kreu i KQZ, Ilirja Celibashi, i pyetur në një konferencë për mediat, u shpreh se kjo është e ndaluar.
“Është e ndaluar të bëhen thirrje elektorale, mund të bëjnë për pjesëmarrje masive. Shpresoj që kjo risjellje në vëmendje e kësaj problematike shpresoj të dëgjohet”, tha Celibashi, ndërsa sqaroi se procesi i votimit në të gjithë qendrat e votimit vijon normalisht.
“Prej mëngjezit qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës po votojnë për kryebashkiakët e rinj për të vazhduar rrugën drejt #Shqipëria2030 me Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë. Ne socialistët shqiptarë po mbajmë zotimin tonë në zgjedhjet e majit se ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve, pagave dhe mandati i anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kështu pensionistët tanë, përveçse do të marrin këtë dhjetor, bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari, do të kenë një rritje tanimë të shtrirë në çdo muaj të katër viteve që kemi përpara përmbi indeksimin e përvitshëm, natyrisht. Prandaj ju ftoj të dilni masivisht dhe të votoni kandidatët tanë”, shkruan Balla në postimin e tij./Pamfleti
