Autoritetet nuk kanë identifikuar ende ekzekutorin, ndërsa arrestohet Nevzat Spaho dhe zbulohen lidhje të reja mes bashkëpunëtorëve
Hetimet për ekzekutimin e biznesmenit Edmond Mëhalla në Elbasan po zgjerohen, teksa burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se autori i vrasjes mund të jetë një shtetas i huaj. Ky dyshim ka lindur pas analizimit të provave materiale, të dhënave hetimore dhe pamjeve filmike të sekuestruara deri në këtë fazë të hetimit.
Megjithëse policia ka grumbulluar informacion të konsiderueshëm, identifikimi i qitësit ende nuk është arritur dhe të gjitha pistat mbeten të hapura. Ndërkohë, një zhvillim i rëndësishëm është arrestimi i Nevzat Spahos, 29 vjeç, nga Prrenjasi, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në organizimin e vrasjes.
Spaho, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje, kanosje dhe vjedhje, ka mohuar gjatë marrjes në pyetje se ka pasur dijeni për personin që kreu atentatin. Ai ka deklaruar se automjeti i përdorur në ngjarje është dorëzuar disa personave nga Lezha nëpërmjet ish-ortakut të viktimës, Xhino Aga, i cili është arrestuar së bashku me rojen e karburantit ku u krye ekzekutimi.
Në kërkim vijojnë të jenë Marselo Arani dhe Armando Kola, të dyshuar si bashkëautorë në vrasjen e datës 30 nëntor në lagjen Emin Matraxhiu.
Hetimet pritet të thellohen për verifikimin e mundësisë që ekzekutori të ketë ardhur nga jashtë vendit dhe të jetë larguar menjëherë pas atentatit, një metodë gjithnjë e më e përhapur në vrasjet me pagesë në Shqipëri.

