
Komshinjtë dhe familjarët dëshmojnë për debatet e shpeshta të Reçit në komunitet; në hetim dy vëllezërit Dukaj, njëri ish-oficer policie.
Detaje të reja janë zbardhur rreth vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi, ngjarje e ndodhur më 13 nëntor 2024 në Tiranë, pranë zonës së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Sipas dosjes hetimore të prokurorisë, pista kryesore lidhet me konfliktet që viktima kishte prej vitesh me banorë të lagjes. Për çështjen janë marrë të pandehur dy vëllezërit Florjan dhe Shkëlqim Dukaj, ky i fundit ish-oficer policie në Komisariatin nr. 2, të cilët ndodhen në burg me akuzën e dyshuar për vrasje me paramendim në bashkëpunim. Ata mohojnë përfshirjen dhe pretendojnë se raporti me Reçin ka qenë vetëm për diskutime tokash pa armiqësi.
Në dosje pasqyrohen dëshmitë e disa komshinjve, të cilët vuajnë se Reçi shpesh përfshihej në debate. Njëri prej tyre ka deklaruar në polici:
“Eduarti ka qenë njeriu më konfliktual në lagje. Në çdo pesë veta, me dy kishte debat. Jam konfliktuar edhe vetë me të disa herë për faturat e ujit dhe energjisë të një ambienti që kisha me qira.”
Edhe bashkëshortja dhe djemtë e viktimës kanë folur për mosmarrëveshje të shumta për çështje prone, qiraje dhe ndërtimi. Ndërkohë, polici i zonës, Haziz Niçaj, ka dëshmuar se në shtator 2024 Reçi e kishte informuar për takimin e tij me vëllezërit Dukaj, duke i kërkuar “të ruhej nga ndonjë kurth”, megjithëse më pas kishte deklaruar se takimi kishte përfunduar në qetësi dhe palët kishin rënë dakord për kufijtë e parcelave.
Hetimet vijojnë ndërsa prokuroria po analizon komunikimet dhe konfliktet mes palëve. Deri tani nuk ka prova përfundimtare mbi motivin, por rrëfimet e komshinjve kanë hapur një panoramë të tensionuar bashkëjetese që mund të ketë paraprirë ngjarjen tragjike.
Autoritetet pritet të dalin me informacione të reja pasi procedurat hetimore të avancojnë.
