
Hetimet për atentatin mafioz pranë Rinasit vijojnë pa të dyshuar konkretë, dyshohet për informatorë dhe informacion të brendshëm mbi lëvizjet e viktimave.
Kanë kaluar disa muaj nga ekzekutimi i Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, por autorët e atentatit ende nuk janë identifikuar nga organet e hetimit. Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të ditës, pranë rrethrrotullimit të Rinasit, një zonë e konsideruar me siguri të lartë për shkak të afërsisë me aeroportin.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria pritet të marrë në pyetje edhe Emiljano Shullazi, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe ka pasur lidhje miqësore me viktimën Gilmando Dani. Sipas informacioneve, marrja në pyetje do të zhvillohet në ambientet e paraburgimit 313, por mbetet e paqartë nëse Shullazi do të japë detaje apo indicie konkrete mbi atentatin.
Gazetarja Klodiana Lala ka bërë me dije se Shullazi do të pyetet nëse ka dijeni apo dyshime për persona të caktuar që mund të kenë organizuar vrasjen. Hetuesit shpresojnë që dëshmia e tij të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave dhe motiveve të krimit.
Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani udhëtonin së bashku në një automjet kur u qëlluan për vdekje. Dyshohet se atentatorët kanë pasur informacion të saktë mbi lëvizjet e tyre, pasi viktimat sapo ishin kthyer nga Spanja. Ky detaj ka forcuar pistën se autorët kanë vepruar mbi bazën e të dhënave të siguruara paraprakisht.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se ditët e fundit janë marrë në pyetje disa persona që ndodheshin në zonën e Rinasit, ndërsa dyshimet janë përqendruar edhe te mundësia e ekzistencës së informatorëve në aeroport, të cilët mund të kenë njoftuar grupin kriminal për ardhjen dhe lëvizjet e viktimave.
Prokuroria vijon hetimet në disa pista paralelisht, ndërsa dosja mbetet ende e hapur dhe pa emra konkretë të dyshuarish, pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar nga atentati.
