
Hetimet e Prokurorisë së Shkodrës nxjerrin në dritë planin e detajuar të vrasjes, nga mesazhet e rreme të një “vajze rome”, te 19 plumbat e pushkës që i morën jetën viktimës.
Ngjarja e rëndë që tronditi Shkodrën në fillim të këtij viti ka marrë tashmë dritë të plotë. Prokuroria ka përfunduar hetimet për vrasjen e Ramazan Matajt, ekzekutuar mbrëmjen e 5 janarit në Postribë, duke zbuluar një skenar të planifikuar me kujdes nga 31-vjeçari Arjon Hasaj, i cili e ka pranuar autorësinë e krimit, me ndihmën e vëllait të tij, Klisman Hasaj.
Sipas dosjes hetimore, Arjon Hasaj e kishte ftuar viktimën në një takim përmes një profili fallco në Instagram, ku ishte shtirur si femër. Për të bërë mashtrimin më bindës, ai kishte paguar një vajzë rome që t’i dërgonte Matajt dy mesazhe zanore, duke i krijuar përshtypjen se po komunikonte me një vajzë nga zona e Drishtit. Pikërisht ky detaj i hapi rrugën tragjedisë.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Hasaj ka pohuar se motivi i krimit ishin konfliktet e thella familjare. Ai e akuzonte Matajn si shkaktarin e prishjes së martesës së motrës së tij, Armela Hasaj, me të cilën viktima kishte pasur një lidhje shumëvjeçare. Përveçse e konsideronte përgjegjës për dy divorce, autori pretendonte se Mataj kishte shpërndarë foto dhe video intime të motrës së tij në rrjete sociale.
“E pashë një video të saj në Instagram me makinën e Ramazanit dhe më erdhi si goditje. Ajo pamje më rrënoi psikologjikisht,” ,ka rrëfyer Hasaj. “Vendosa ta takoja dhe ta përballja. Kur u afrua me makinë, e qëllova disa herë me pushkë dhe u largova me biçikletë.”
Ekspertiza balistike ka konfirmuar se ndaj viktimës janë qëlluar 18 deri në 19 herë me një armë gjahu, ndërsa policia gjeti në vendngjarje 16 gëzhoja dhe një sasi municioni luftarak.
Pas krimit, Arjon Hasaj tentoi të largohej drejt Malit të Zi përmes pikës kufitare të Muriqanit, ku u arrestua. Vëllai i tij, Klisman Hasaj, u ndalua më pas si bashkëpunëtor.
Ndërkohë, motra e tyre, Armela Hasaj, ka rrëfyer për hetuesit historinë e errët të marrëdhënies së saj me Matajn. Ajo ka pohuar se ishte përndjekur, kërcënuar dhe poshtëruar publikisht përmes rrjeteve sociale. “Kam bërë disa kallëzime dhe kam marrë urdhra mbrojtjeje, por ai s’ndalej. Më shkruante me profile të rreme dhe shpërndante foto intime,”, ka deklaruar ajo.
Nga ana tjetër, babai i viktimës, Fatmir Mataj, ka treguar se i biri i kishte thënë se do takonte një vajzë nga Drishti “me qëllime serioze”. Ai ka rrëfyer se gjatë gjithë natës e ka telefonuar pa sukses, derisa në mëngjes mësoi për vrasjen nga mediat.
Edhe babai i autorëve, Rrustem Hasaj, ka mohuar çdo dijeni për ngjarjen dhe për armët që policia gjeti në oborrin e shtëpisë.
Hetimet zbuluan gjithashtu se dy kushërinj të viktimës e kishin paralajmëruar atë për rrezikun e një adrese të rreme në Instagram, por Ramazani u bind se po komunikonte me një vajzë reale, duke rënë në kurthin fatal.
Prokuroria e Shkodrës thotë se ka prova materiale të mjaftueshme, armën, gëzhojat dhe komunikimet elektronike që vërtetojnë autorësinë e krimit. Dosja tashmë i është kaluar gjykatës, ndërsa procesi pritet të zbulojë më shumë mbi përmasat e tragjedisë që lindi nga një marrëdhënie e shndërruar në hakmarrje dhe mashtrim.