Policia e Elbasanit ka zbuluar detaje të reja mbi konfliktin që dyshohet se ka shërbyer si motiv kryesor për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka, ngjarje e ndodhur më 30 nëntor.
Sipas burimeve të Policisë së Shtetit, ‘Panorama’ informon se në qendër të hetimeve ndodhet 35-vjeçari Oklid El Ouejdi, i njohur në Elbasan me nofkat “Kiço” dhe “Oliver”, si dhe i identifikuar nga komuniteti lokal si nip i personazhit të njohur “Timi i Elbasanit”.
Ai është larguar nga pika kufitare e Qafë-Thanës drejt Maqedonisë së Veriut dhe aktualisht konsiderohet person kyç në dosjen hetimore.
Vendndodhja e tij nuk është e konfirmuar, megjithëse dyshohet se mund të ndodhet pikërisht në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka lidhje të shumta, përfshirë edhe me Sheval Muharremin, të njohur si “Bosi i Gërçecit”.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu aktivitetin e biznesit “SOLEIL”, një kompani import–eksporti dhe tregtimi automjetesh, e regjistruar në emër të El Ouejdit në Elbasan që prej vitit 2018. Pikërisht marrëdhëniet tregtare të lidhura përmes kësaj veprimtarie dyshohet se janë kthyer në burimin e konfliktit me Mëhallën.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 10 ditë para vrasjes, në ambientet e karburantit “Xhaxhi Oil” ka ndodhur një përplasje fizike midis dy biznesmenëve.
Konflikti mësohet se lidhej me një marrëveshje tregtare prej rreth 700 mijë eurosh, e cila nuk ishte finalizuar. Burime të rezervuara pohojnë se Mëhalla ishte i revoltuar dhe se përplasja fizike ka ndodhur në prani të një personi që shoqëronte El Ouejdin.
