
Biznesmeni i njohur Stavros Demosthenous u qëllua për vdekje pranë banesës së tij në Limasol; hetimet zbulojnë lidhje të mundshme me botën e basteve sportive.
Një atentat mafioz ka tronditur qytetin e Limasolit në Qipro, ku u vra presidenti i klubit të futbollit “Karmiotissa”, Stavros Demosthenous. 49-vjeçari, i njohur gjithashtu si biznesmen aktiv në fushën e basteve sportive, u ekzekutua në mëngjesin e së premtes para shtëpisë së tij.
Sipas burimeve policore, autorët e kishin ndjekur lëvizjen e viktimës për disa ditë. Ata e qëlluan në momentin që doli nga dera e banesës, duke e lënë pa shenja jete në vend. Djali i tij tentoi ta dërgonte me urgjencë në spital, por Demosthenous humbi jetën gjatë rrugës.
Mjeti i përdorur në atentat, një furgon i vjedhur, u gjet më pas i djegur në një zonë të braktisur të qytetit – një skenar tipik i ekzekutimeve profesionale.
Pista kryesore e hetimit lidhet me përfshirjen e viktimës në bastet sportive dhe dyshimet për trukime ndeshjesh. Klubi “Karmiotissa” ka qenë më parë në vëmendje të UEFA për parregullsi të përsëritura, çka ka ngritur dyshime se vrasja mund të ketë pasur motive financiare dhe hakmarrjeje.
Policia qipriote ka nisur një hetim të gjerë, duke analizuar të dhënat e kamerave të sigurisë dhe kontaktet e fundit të biznesmenit, ndërsa mediat vendase e cilësojnë ngjarjen si një nga atentatet më të sofistikuara të viteve të fundit në vend.