
Ngjarja tronditëse ndodhi në Lion, ku Ashur Sarnaya, një 45-vjeçar me origjinë irakiane, u vra me thikë ndërsa transmetonte drejtpërdrejt në TikTok. Autoritetet franceze e kanë cilësuar sulmin si akt terrorist.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Francën dhe komunitetin ndërkombëtar të rrjeteve sociale. Ashur Sarnaya, një 45-vjeçar irakian i krishterë dhe person me aftësi të kufizuara, u vra brutalisht me thikë në qytetin e Lionit, teksa ishte duke bërë një transmetim live në TikTok për ndjekësit e tij.
Sipas raportimeve të mediave franceze, Sarnaya po fliste nga karrigia e tij me rrota për temat e besimit dhe shpresës, kur një person iu afrua dhe e goditi me thikë në qafë në hyrje të pallatit ku jetonte. Agresori u largua menjëherë nga vendngjarja, ndërsa viktima humbi jetën në vend nga plagët e marra.
Hetimet zbuluan se autori i dyshuar është një 28-vjeçar me origjinë algjeriane, i cili kishte arritur në Itali pas krimit. Ai u arrestua më 2 tetor në qytetin Andria, në jug të Italisë, në banesën e disa bashkëatdhetarëve, pas një urdhër-arresti europian të lëshuar nga autoritetet franceze. Gjatë arrestimit, policia italiane sekuestroi një thikë të madhe, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në krim.
Fillimisht, hetimet në Francë u hapën për “vrasje me dashje”, por shumë shpejt prokuroria e Lionit e rikalifikoi çështjen si “vrasje në kuadër të një ndërmarrjeje terroriste” dhe “bashkëpunim në organizatë terroriste kriminale”.
Njësia antiterroriste e Parisit ka marrë tashmë në dorë hetimin, ndërsa autoritetet franceze kanë kërkuar zyrtarisht ekstradimin e autorit nga Italia. Pesë persona të tjerë që kishin pasur kontakte me të dyshuarin u ndaluan për disa orë në Lion, por më pas u liruan pa akuza.
Ashur Sarnaya ishte një figurë e njohur në komunitetin e krishterë të emigrantëve irakianë në Francë. Ai kishte emigruar në Evropë pas ndjekjeve fetare në Lindjen e Mesme dhe përdorte platformat sociale për të shpërndarë mesazhe paqeje dhe qëndrese shpirtërore.
Vrasja e tij, e kryer gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, ka shkaktuar tronditje të thellë dhe reagime të shumta, ndërsa autoritetet franceze e kanë cilësuar ngjarjen si një “akt barbar” dhe një kujtesë e hidhur e rrezikut të ekstremizmit fetar në Evropë.