
Një 15-vjeçar, një 17-vjeçar dhe një 20-vjeçar ndodhen në paraburgim, ndërsa autoritetet hetojnë vdekjen e një të riu në një rrugicë ngjitur me një lokal
Një hetim për vrasje është hapur në qarkun Surrey të Anglisë, pasi një i ri humbi jetën si pasojë e një goditjeje me thikë në një rrugicë pranë një pub-i të njohur. Policia ka konfirmuar arrestimin e tre personave, dy prej të cilëve janë të mitur, ndërsa i treti është 20 vjeç.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 të pasdites së 9 dhjetorit, pranë pabit Wheatsheaf në zonën Ewell. Viktima u gjet i plagosur rëndë në një rrugicë ngjitur me lokalin, ku menjëherë ndërhynë shërbimet e emergjencës. Pavarësisht përpjekjeve të paramedikëve, policisë dhe qytetarëve të pranishëm për t’i shpëtuar jetën, i riu, rreth të 20-ave, u shpall i vdekur në vendngjarje.
Policia e Surreyt ka bërë të ditur se një 15-vjeçar, një 17-vjeçar dhe një 20-vjeçar janë arrestuar nën dyshimin për vrasje dhe vijojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa hetimet janë në zhvillim. Familjarët e viktimës janë njoftuar dhe po marrin mbështetje nga shërbimet përkatëse.
Autoritetet u kanë bërë thirrje dëshmitarëve që mund të kenë parë ose dëgjuar ndonjë përplasje në Kingston Road rreth orës 15:20 të asaj dite, të bashkëpunojnë me hetimin. Policia ka kërkuar që çdo informacion apo provë që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes të raportohet, ndërsa për ata që preferojnë anonimitetin, është vënë në dispozicion edhe linja e Crimestoppers.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka rihapur shqetësimet mbi dhunën me armë të ftohta në hapësira publike të frekuentuara.
