Zbardhet dëshmia e djalit që vrau dje babanë. Ngjarja ndodhi në Shkallnur të Durrësit, ku Marjan Kodheli goditi për vdekje babain 69-vjeçar me thikën e bukës.“Ishim duke ngrënë bukë dhe babai më turr. Nuk më linte të haja i qetë. Nuk e mbaj mend pse ndodhi, por kemi pasur grindje të vazhdueshme që kur jam kthyer nga Greqia, para gjashtë muajsh.
Kam jetuar në Francë, jam me pasaportë franceze. Atje kam qëndruar rreth gjashtë vjet dhe më pas kam shkuar në Greqi, ku kam punuar për gjashtë muaj. Nga Greqia jam kthyer në shtëpi dhe isha i papunë. Kemi pasur debate me babain. Sherri ndodhi teksa hanim drekë. Nuk e di si ndodhi, mora thikën dhe e qëllova”, tha ai
Hetimet paraprake kanë zbuluar detaje tronditëse, pasi raportohet se i riu fillimisht e ka goditur të atin në kokë me një dru dhe më pas ka marrë thikën e bukës, me të cilën e ka qëlluar në zemër.
Pas krimit, Marjan Kodheli dyshohet se e ka lënë thikën mbi tavolinë dhe është larguar nga vendngjarja. Më pas ai u arrestua nga policia, rreth dy orë pas ngjarjes së rëndë.
