
Shkalla e tretë e gjyqësorit rrëzon rekursin e ish-efektivit dhe konfirmon vendimin për vrasjen me paramendim të punonjësit të Policisë së Shtetit
Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e paraqitur nga Ludjan Zaimi, duke lënë në fuqi dënimin me 30 vite burg për ish-efektivin e Policisë së Shtetit, i cili vrau me armën e shërbimit kolegun e tij Çaush Saliasi brenda ambienteve të komisariatit nr.3 në Tiranë.
Vendimi përfundimtar konfirmon atë të dhënë më herët nga Apeli i Posaçëm më 25 janar 2024, i cili e shpalli Zaimin fajtor për veprën penale të vrasjes me paramendim të punonjësit të Policisë së Shtetit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 maj 2022, pak para nisjes së turnit të patrullës së përgjithshme, kur dy efektivët ndodheshin në ambientet e brendshme të komisariatit. Sipas dosjes hetimore, Zaimi qëlloi për vdekje kolegun e tij me armë zjarri, duke shkaktuar një tronditje të fortë në opinionin publik dhe brenda vetë strukturave të policisë.
Hetimet dhe procesi gjyqësor zbuluan se mes autorit dhe viktimës kishin ekzistuar konflikte të vazhdueshme dhe situata bullizimi në ambientet e punës, faktorë që u konsideruan pjesë e kontekstit të ngjarjes, por që nuk ndikuan në lehtësimin e përgjegjësisë penale.
Në shkallën e parë, Gjykata e kishte dënuar Zaimin me 35 vite burg për veprën penale të vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit. Apeli e rikualifikoi veprën si vrasje me paramendim, duke ulur dënimin në 30 vite burg. Ky vendim u kundërshtua nga ish-efektivi përmes rekursit në Gjykatën e Lartë, por pa sukses.
Me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, dënimi ndaj Ludjan Zaimit bëhet i formës së prerë, duke mbyllur përfundimisht rrugët e ankimit për një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura brenda institucioneve të rendit në vitet e fundit.
