
Ish-i dënuari, i cili vuante një dënim 42-vjeçar për vrasjen e një fëmije në Brazil, u ekzekutua në rrugë nga persona ende të paidentifikuar
Një ngjarje tronditëse është regjistruar në qytetin Sinop, në shtetin brazilian Mato Grosso, ku një i dënuar për pedofili dhe vrasje u qëllua për vdekje me armë zjarri vetëm disa orë pasi ishte liruar nga burgu. Viktima, 46 vjeç, ishte lënë i lirë nën një regjim gjysmë të hapur, që parashikonte kthimin e tij në qeli vetëm gjatë natës.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur dy persona të maskuar i afrohen atij pranë një hoteli, e detyrojnë të vendosë duart pas koke dhe e largojnë disa metra nga hyrja, përpara se ta qëllojnë nga afër dhe të largohen me shpejtësi nga vendngjarja. Shërbimet e emergjencës konfirmuan vdekjen në vend, ndërsa trupi u dërgua për ekspertizë mjeko-ligjore.
I ndjeri kishte qenë duke vuajtur një dënim 42-vjeçar për vrasjen brutale të një djali nëntëvjeçar, ngjarje e ndodhur në vitin 2005. Sipas dosjes penale, ai e kishte joshur fëmijën në një kantier ndërtimi, ku e kishte abuzuar seksualisht, e kishte vrarë dhe më pas e kishte varrosur trupin. U arrestua disa ditë më vonë, pas një përpjekjeje për të sulmuar një tjetër fëmijë.
Krimi kishte shkaktuar reagime të forta në opinionin publik në atë kohë, duke nxitur protesta dhe tentativa për linçim ndaj tij. Lirimi i parakohshëm kishte ringjallur polemika të shumta, të cilat tani janë intensifikuar pas vrasjes së tij në rrethana ende të paqarta.
Autoritetet policore kanë nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, duke hetuar nëse vrasja lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën kriminale të viktimës apo me vendimin për lirimin e tij. Deri më tani nuk raportohet për persona të arrestuar.
Ngjarja ka rihapur debatin në Brazil mbi politikat e lirimit me kusht, sigurinë publike dhe rrezikun e rikthimit të personave me precedentë të rëndë penalë në shoqëri.
