
Ish-trajneri 66-vjeçar u qëllua me armë në Laney College në Oakland; policia thotë se sulmi ishte i qëllimshëm dhe ka arrestuar një 27-vjeçar si autor të dyshuar.
Figura e njohur e futbollit amerikan, John Beam, ka ndërruar jetë pasi u qëllua me armë brenda kampusit të Laney College në Oakland, Kaliforni. Beam, i cili fitoi famë përmes serialit Last Chance U në Netflix dhe për kontributin e tij shumëvjeçar si trajner dhe mentor i të rinjve, u plagos rëndë në kokë gjatë incidentit dhe vdiq të premten rreth orës 10 të mëngjesit në spital.
Policia e Oakland konfirmoi se sulmi ka qenë i synuar. Pamjet e kamerave të sigurisë brenda kolegjit dhe në zonat përreth i kanë ndihmuar autoritetet të identifikojnë dhe më pas të arrestojnë të dyshuarin Cedric Irving, 27 vjeç, në një stacion të transportit publik. Atij i janë ngritur akuzat për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa pritet të dalë para gjykatës ditën e martë.
Familja e Beam e përshkroi atë si një burrë të dashur, bashkëshort, baba, gjysh dhe mentor që u ka ndryshuar jetën mijëra sportistëve të rinj. Lajmi i vrasjes ka tronditur komunitetin sportiv dhe qytetin e Oakland, ku Beam konsiderohej një figurë gjigante në edukimin e brezave të rinj.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar motivet e sulmit. Policia ka deklaruar se i dyshuari kishte frekuentuar shpesh kampusin dhe kishte një të kaluar problematike familjare dhe profesionale, përfshirë humbjen e punës dhe nxjerrjen nga banesa.
John Beam kishte një karrierë mbi 40-vjeçare në sport, ishte trajner, drejtues sportiv dhe fitues i dy titujve të rëndësishëm me Laney College. Sipas të dhënave zyrtare të kolegjit, mbi 20 prej lojtarëve të tij arritën të luanin në NFL, ndërsa mijëra të rinj të tjerë morën udhëzim dhe mbështetje nga ai për të ndërtuar të ardhmen.
Ngjarja ndodhi vetëm një ditë pasi një student u qëllua në një shkollë të mesme në Oakland, duke rikthyer debatin mbi dhunën me armë në kampuset amerikane. Autoritetet lokale paralajmërojnë se qyteti po përballet me një krizë të vërtetë sigurie.
