

Netanyahu pranon propozimin amerikan, ndërsa vende kyçe arabe dhe europiane e mbështesin; palestinezët kërkojnë sqarime për forcat ndërkombëtare
Diplomatë konfirmojnë se delegacioni i Hamasit është duke shqyrtuar planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump, që synon t’i japë fund luftës në Gaza. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se ka rënë dakord me këtë propozim, edhe pse ushtria izraelite vijoi sulmet në Rripin e Gazës, duke lënë të paktën 30 të vrarë që nga mëngjesi i sotëm.
Plani është përshëndetur nga një sërë vendesh, mes tyre Arabia Saudite, Jordania, Emiratet e Bashkuara, Katari, Egjipti, Italia, Franca, Britania e Madhe dhe Autoriteti Palestinez. Por palestinezët në Gaza kanë ngritur pyetje serioze mbi detajet e marrëveshjes, veçanërisht mbi idenë e një force stabilizimi ndërkombëtare që do të vendosej në enklavë.
Sipas të dhënave më të fundit, ofensiva izraelite në Gaza ka shkaktuar mbi 66 mijë të vdekur dhe më shumë se 168 mijë të plagosur, që prej tetorit 2023, ndërsa mijëra të tjerë vazhdojnë të jenë nën rrënoja. Në anën tjetër, gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023 në Izrael u vranë 1,139 persona dhe rreth 200 u morën peng.