Pas më shumë se shtatë muajsh nga ngjarja që tronditi Italinë dhe Shqipërinë, autori i dyshuar i vrasjes së 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula do të dalë nesër para drejtësisë italiane.
Në Seksionin e Tretë të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tribunalin e Romës do të nisë gjyqi ndaj Mark Antony Samson, 23-vjeçarit me origjinë filipinase, i cili ka pranuar se vrau ish-të dashurën e tij shqiptare.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fund të marsit në banesën e familjes së Samsonit në Romë. Hetimet kanë zbuluar se Ilaria u godit me thikë, ndërsa trupi i saj u fsheh në një valixhe dhe u braktis në një zonë shkëmbore në periferi të kryeqytetit italian.
Prokuroria e akuzon Samsonin për vrasje me paramendim dhe fshehje të trupit, ndërsa rrethanat rënduese lidhen me marrëdhënien sentimentale që kishte me viktimën.
Në proces do të shqyrtohet edhe kërkesa për përfshirjen e palëve civile. Përveç familjes së vajzës, e përfaqësuar nga avokati Giuseppe Sforza, pjesë e procesit kërkojnë të jenë edhe Universiteti “La Sapienza”, ku studionte Ilaria, si dhe disa organizata që mbrojnë viktimat e dhunës ndaj grave.
