
Këngëtarja 34-vjeçare dhe nëna e saj u plagosën rëndë pasi u përleshën me grabitësin që hyri me armë në banesën e tyre në Seul.
Aktorja dhe këngëtarja koreane Nana, e njohur për rolet e saj në serialet e Netflix si Glitch dhe për famën si anëtare e grupit K-Pop “After School”, është shtruar në spital pasi ajo dhe nëna e saj u sulmuan nga një grabitës i armatosur brenda shtëpisë së tyre në Seul.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur një burrë rreth të 30-ave hyri në banesë me synimin për të vjedhur para dhe sende me vlerë. Sipas policisë, i dyshuari ka kërcënuar Nana-n dhe nënën e saj me një armë, duke shkaktuar një përleshje të dhunshme.
Nëna e artistes u godit në kokë dhe humbi ndjenjat, ndërsa Nana u lëndua rëndë teksa përpiqej të largohej nga situata. Megjithatë, të dyja arritën ta neutralizojnë grabitësin dhe ta mbanin të bllokuar deri në mbërritjen e policisë.
Sipas agjencisë koreane Yonhap, të dyja viktimat janë duke marrë trajtim mjekësor dhe “kanë nevojë për pushim të plotë”. Nëna e Nanas tashmë ka rifituar vetëdijen.
Grabitësi është arrestuar dhe po hetohet për “vjedhje të rënduar me dhunë”.
Nana, emri i vërtetë i së cilës është Im Jin-ah, u bë e famshme në vitin 2009 me grupin After School, më pas u dallua në sub-grupet Orange Caramel dhe After School Red, si dhe u rikthye në qendër të vëmendjes për rolet e saj në dramën kriminale Kill It, Justice dhe më vonë në serialin e Netflix Glitch. Ajo pritet të shfaqet në dy projekte të reja televizive: dramën Climax dhe serinë e ardhshme Scandals, ku luan një të ve që zbërthen një romancë të rrezikshme.
