 
        
Ish-ministri i Drejtësisë reagon ashpër ndaj publikimit të detajeve nga dëshmia e Bashës në Prokurorinë e Posaçme, duke e cilësuar ngjarjen si shkelje të rëndë ligjore dhe skandal që cenon besimin te drejtësia.
Pas publikimit në media të detajeve nga dëshmia e Lulzim Bashës në SPAK, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar publikisht duke akuzuar Prokurorinë e Posaçme për rrjedhje të informacionit konfidencial. Në një postim në rrjetet sociale, Manjani e cilësoi këtë si një rast flagrant të shkeljes së sekretit hetimor, duke kërkuar që prokurori i posaçëm Altin Dumani të zbulojë menjëherë burimin e informacionit.
Sipas Manjanit, publikimi i pjesëve nga dëshmia e Bashës, ku ai mohon dhënien e urdhrave dhe justifikon veprimet e tij si detyrë ligjore, tregon se brenda strukturave të SPAK ka ndodhur një “nxjerrje e qëllimshme” e të dhënave të mbrojtura. “Gazetarja ka bërë detyrën e saj, por problemi qëndron te ata që i kanë dhënë asaj informacionin. Këta persona janë brenda sistemit hetimor dhe duhet të mbajnë përgjegjësi,” shkroi ai.
Manjani renditi tre mundësi për rrjedhjen e informacionit: prokurorin e çështjes, oficerin e BKH që ka asistuar në marrjen në pyetje, ose vetë Bashën. Ai përjashtoi mundësinë e përfshirjes së avokatëve, duke theksuar se në këtë rast nuk ka patur asnjë prej tyre të pranishëm gjatë procedurës.
Sipas tij, publikimi i të dhënave nga një proces hetimor aktiv synon të ndikojë në opinionin publik dhe të ushtrojë presion ndaj gjykatave. “Kjo nuk është vetëm e paligjshme, por edhe thellësisht jo profesionale. Është një përpjekje për të krijuar gjykim popullor dhe për të intimiduar drejtësinë,” theksoi Manjani.
Ai i kërkoi kreut të SPAK, Altin Dumani, që të nisë verifikimet e brendshme për të gjetur personin përgjegjës për rrjedhjen e informacionit, duke paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren masa, do të cenohet rëndë besueshmëria e institucioneve të drejtësisë në vend.

 
         
         
         
         
        