

Pas më shumë se dy dekadash në shërbim të diplomacisë amerikane, Yuri Kim ka mbyllur karrierën e saj, duke u pensionuar zyrtarisht, pas largimit nga Departamenti i Shtetit.
Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, ka vendosur të tërhiqet nga shërbimi aktiv diplomatik, duke përmbyllur një rrugëtim mbi 20-vjeçar. Vendimi i saj për pensionim të parakohshëm erdhi pas ndryshimeve të fundit në administratën amerikane.
Në një ceremoni lamtumire të organizuar nga Departamenti i Shtetit në Washington, ku morën pjesë familjarë, kolegë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA, Kim u përcoll me vlerësime për kontributin e saj. Mes të pranishmëve ishin ish-ambasadori Alexander Arvizu, ambasadori aktual i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, si dhe gazetarja Ilva Tare.
Gjatë karrierës së saj, Kim ka shërbyer në disa nga pikat më të rëndësishme diplomatike për SHBA, përfshirë Korenë, Japoninë, Kinën, Irakun dhe Turqinë, ndërsa kujtohet në Shqipëri për rolin e saj aktiv si ambasadore në Tiranë.